Read Time55 Second
Në prag të fillimit të sezonit garues 2026/2027, u mbajt në Prishtinë seminari për ndryshimet në protokoll dhe në rregullat e lojës së volejbollit, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të volejbollit të Kosovës.
Të pranishmëve fillimisht iu drejtua Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, i cili u uroi gjyqtarëve punë të mbarë, duke vlerësuar profesionalizmin, angazhimin dhe gatishmërinë e tyre për avancim të vazhdueshëm, në hap me zhvillimet dhe standardet bashkëkohore të ndarjes së drejtësisë sportive në nivel global.

Seminari u fokusua në ndryshimet e reja në rregullat e lojës, me qëllim të unifikimit të zbatimit të tyre dhe përgatitjes sa më të mirë për sezonin e ri.
Ligjërues të seminarit ishin gjyqtarët ndërkombëtarë Burim Zymeri dhe Istref Elezaj, të asistuar edhe nga Valton Dauti, të cilët trajtuan çështjet kryesore dhe ndryshimet që do të aplikohen në garat e sezonit të ri.
FVK vlerëson angazhimin e gjyqtarëve për ngritjen e vazhdueshme profesionale dhe u uron atyre një sezon të mbarë, të suksesshëm dhe me fat, sikurse edhe të gjithë atyre që kontribuojnë në organizimin dhe zhvillimin e volejbollit në Kosovë.



