Read Time48 Second
Federata e Volejbollit e Kosovës po përfaqësohet në Asamblenë e Përgjithshme të CEV-it, e cila po mbahet sot në Milano të Italisë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për volejbollin evropian marrin pjesë presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci, dhe sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi, të cilët përfaqësojnë Kosovën në takimet e nivelit evropian.

Përveç Asamblesë së CEV-it, gjatë qëndrimit në Milano zhvillohet edhe takimi i rregullt i Federatave Ballkanike të Volejbollit (BVA), ku diskutohen çështje të përbashkëta dhe bashkëpunimi mes federatave të rajonit.

Qëndrimi në Milano do të jetë gjithashtu një mundësi për ta ndjekur nga afër një prej momenteve më të rëndësishme të EuroVolley 2026 për meshkuj, pasi në program janë edhe ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e Kampionatit Evropian.
Një tjetër moment i rëndësishëm për volejbollin evropian, por edhe një mundësi për FVK-në që të jetë pjesë e takimeve, diskutimeve dhe zhvillimeve të rëndësishme të këtij sporti në nivel kontinental.



