Read Time44 Second
Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare Anti-Doping (KOSADA), kanë mbajtur seminarin online me temë antidopingun në sport, me pjesëmarrjen e mbi 30 përfaqësuesve të komunitetit të volejbollit.
Ligjërata u mbajt nga z. Bernard Tahirbegolli, koordinator në KOSADA, i cili gjatë seminarit trajtoi çështje të rëndësishme që lidhen me antidopingun, përfshirë substancat e ndaluara, procesin e testimit, si dhe aspekte të tjera me rëndësi për sportistët dhe të gjithë akterët e sportit.
Seminari u shoqërua me pyetje dhe diskutime nga pjesëmarrësit, të cilët shprehën interesim për çështje konkrete dhe praktike që lidhen me rregullat dhe procedurat antidoping.
FVK falënderon Agjencinë Kosovare Anti-Doping (KOSADA) për angazhimin dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij seminari.
Përmes aktiviteteve të tilla, FVK dhe KOSADA kontribuojnë në edukimin, ndërgjegjësimin dhe promovimin e një sporti të pastër, të ndershëm dhe FAIR.



