Ekipi KV ‘Skenderaj’ ka siguruar titullin e kampionit në grupmoshën U18, pasi triumfoi në final four, ku në finalen e madhe mposhti nikoqirin e kësaj gare, KV ‘Malishevën’ me rezultat 2-3 (24:26,27:25,25:14,21:25,10:15).
Ishte një paraqitje brilante nga të dy ekipet, të cilat luftuan për çdo pikë, siç e nënvizon edhe rezultati i ngushtë në pothuajse secilin set.
I pari i takoi vashave nga Skenderaj, të cilat u desh të luftonin shumë për të fituar këtë set, por nikoqiret arritën të rikthehen fuqishëm në dy setet pasues, duke i fituar falë një vetmohimi të pashoq.
Mirëpo, Skenderaj tregoi shpirt të vërtetë kampioni derisa shfaqi karakter të fortë fituesi për të përmbysur rezultatin, duke i fituar dy setet pasuese për t’u shpallur eventualisht kampion.
Në praninë e një numri të konsiderueshëm të fansave në tribuna, dy ekipet treguan spektakël të njëmendtë volejbolli, që karakterizohet vetëm në një ndeshje finale si kjo e sotmja.
Medaljet për vendin e dytë u ndanë nga anëtari i bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Mehani.
Kampionet u dekoruan nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Malishevës, Argjend Thaqi dhe Komesari i Garave, Ardian Ibraj, ndërsa Kupa u dhurua nga Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi.
Kujtojmë se për të ardhur deri këtu, në gjysmëfinale të playoffit, Malisheva kishte mposhtur Dritën me rezultat 2-1 në sete. Në anën tjetër, Skenderaj me rezultat të njejtë triumfoi kundër Ferizajt në gjysmëfinalen tjetër.
Federata e Volejbollit të Kosovës uron Skenderajn për titullin e kampionit dhe përgëzon të gjitha ekipet pjesmarrëse në këtë final four për kompetitivitetin e treguar.