KV Peja ka triumfuar në finale të Kupës së Kosovës në volejboll te djemtë, pasi në pesë sete mposhti KV Ferizaj 3-2.
Në një takim super rivalizues dhe maratonik, fituesi është përcaktuar vetëm pas tie-break.
Ferizaj e filloi shumë mirë ndeshjen, duke triumfuar në setin e parë 25:15.
Në setin e dytë, vazhdoi rivaliteti i madh deri në përmbyllje të tij, duke i dhënë epilog prej 25:23 në të mirë të Pejës, e cila i barazoi shifrat e përgjithshme në 1 me 1.
Seti i tretë ishte dramë në vehte, deri në fund.
Të dyja ekipet treguan dëshirë e energji për ta fituar, e madje secila prej tyre u gjend edhe në set-point, duke qenë një hap afër fitores.
Por kësaj ia arriti Peja, që festoi 27 me 25, për të kaluar për herë të parë në epërsi në sete, prej 2 me 1.
Setin e katërt Ferizaj u mobilizua, duke e parë si mundësinë e vetme për të mbajtur shpresa për trofeun e Kupës.
Bardhekaltrit nga Ferizaj, e fitojnë setin e katërt 25:20, duke bërë që emri i fituesit të Kupës, të mësohet vetëm pas setit të pestë.
Në tie-break, Ferizaj avansoi fillimisht deri në 8:4.
Por një seri e suksesshme e Pejës, i riktheu ata në lojë, duke barazuar në 14:14 e pastaj duke triumfuar në këtë triller me rezultat 16:14.
Kupën, kapitenit Agron Nikçi, ia dorëzoi presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci.
Finalen nga afër e përcolli edhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë Gazmend Husaj, trajneri i njohur në Zvicër Bujar Dervishaj, drejtori i Departamentit të Sporteve Fitim Arifi, nënkryetarët e KOK-ut Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, si dhe anëtari i bordit të KOK-ut Avni Nuha.
FVK i uron KV Peja për suksesin në edicionin 2020/21 të Kupën e Kosovës në volejboll.
PEJA TRIUMFON NË FINALE, RIKTHEN TROFEUN NË “KARRAGAÇI”
Read Time1 Minute, 32 Second