0
0
Read Time1 Minute, 11 Second
11 korrik, 2022 – Është mbyllur kampionati i zjarrtë i volejbollit në rërë për grupmoshën nën 18-vjeç, i cili dhuroi spektakël të vërtetë sportiviteti e konkurrence me shpresat e volejbollit kosovar për të ardhmen, nga të cilët pritet shumë. Për dy ditë, 10/11 korrik, plot 34 ekipe (20 në konkurrencën e femrave dhe 14 në konkurrencën e meshkujve) morën pjesë, duke konkurruar dinjitetshëm e fuqishëm për çmimin e madh të fituesit. Plot 62 ndeshje (38 te femrat dhe 26 te meshkujt) spektakolare u zhvilluan në fushën e “Holiday Resort” të Sllatinës së Madhe gjatë të dielës dhe së hënës, me të pranishmit që patën mundësi të shohin përballje tejet interesante. Dyshja Megi Bislimi/Rrezelanda Thaqi ishte absolutisht spektakolare, duke triumfuar pasi në finale u tregua e fortë për çiftin tjetër, po ashtu impresiv, Sara Pira/Dorina Syla. Vendin e tretë e siguruan volejbollistet Andeta Gashi dhe Erona Qerreti. Në konkurrencën e meshkujve, dyshja Erit Bajrami/Gani Rexhepi ngadhnjeu falë paraqitjeve jashtëzakonisht të mirë, të cilat u konkluduan me fitoren e madhe në finale kundër çiftit Klesti Kadriqeli/Erald Boshnjaku. Çifti Mustafë Thaqi/Erblin Dervishi zuri vendin e tretë. Ishte anëtarja e Bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), ajo që i ndau medaljet dhe kupat për ekipet fituese në konkurrencën e meshkujve. Në konkurrencën e meshkujve, sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi ndau medaljet dhe kupat, për të nxitur skena feste në rërë.