Skënderbeu i Korçës ka triumfuar në finalen spektakolare të Ligës “Gjergj Kastrioti”, femrat, kundër ekipit nga Kosova, Skenderajt, në përballjen që u zhvillua në praninë e qindra tifozëve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, të mërkurën mbrëma.
Ishte një përballje që dhuroi spektakël të njëmendtë volejbolli, derisa u karakterizua me garë të fortë dhe luftë për çdo pikë, siç nënvizohet edhe nga rezultati i ngushtë në fund 2-3 (25-22, 24-26 25-21, 21-25, 9-15).
Ishin vashat nga Skenderaj ato që patën avantazhin pas një paraqitje dinjitoze në setin e parë, por rivali nga Shqipëria punoi fuqishëm për të mos lejuar disfatë në setin e dytë, duke e fituar atë me vetëm dy pikë diferencë.
Skuadra e trajnerit Ylli Kadriu u rikonsolidua duke fituar setin e tretë, por ishte e pafuqishme t’i bënte rezistencë “ndezjes” së Skënderbeut në dy setet e fundit, të cilët ishin decisiv për ekipin nga Shqipëria për ta ngritur trofeun në fund.
Nga afër këtë ndeshje e përcolli kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili pranoi një fanellë me numrin 15 të Kosovës nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Bahri Gjinovci, si dhuratë për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Trofeu për kapitenen e Skenderbeut u nda nga zëvendës ministrja e MKRS-së, Daulina Osmani dhe presidenti Gjinovci.
Medaljet e arta për kampionet e ligës së përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë patën nderin t’i ndajnë presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Mixhozi.
Medaljet e argjendta për nënkampionet nga Skenderaj i ndau zëvendës drejtoresha e Departamentit të Sportit të MKRS-së, Afërdita Fazliu, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, Gerti Shima dhe sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti.
Çmimin MVP për lojtaren më të mirë të finales e ndau po ashtu ambasadori Mixhozi për lojtaren amerikane të Skenderbeut, Desiree Williams.
FVK uron Skenderbeun për triumfin në ligën që përfaqëson unitetin sportiv dhe vëllazëror mes dy vendeve, dhe përgëzon Skenderajn për formën dhe paraqitjet e treguara përgjatë këtij kampionati.