28 korrik, 2022 – Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi, anëtari i bordit, Gazmend Husaj dhe drejtori i Kombëtares U19, femrat, Naser Krasniqi, vizituan kampin stërvitor të vashave ‘Dardane’, të cilat – të drejtuara nga selektori Lorik Ilazi – po i kryejnë përgatitjet e nevojshme para pjesmarrjes në Kampionatin Ballkanik U19, i cili mbahet mes datave 10-14 gusht, 2022, në Mioveni të Rumanisë.
Vashat ‘Dardane’ janë vendosur në kampin stërvitor në ‘Hotel Trofta’ të Istogut, ku po u nënshtrohen stërvitjeve intensive nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit teknik.
Presidenti Gjinovci dhe ekipi i tij nga FVK, së bashku me drejtorin e Kombëtares, u njoftuan nga afër me mbarëvajtjen e përgatitjeve, derisa u diskutua hollësisht për gjendjen aktuale të ekipit si dhe mënyrës së përgatitjes për përfaqësim sa më dinjitoz në këtë Kampionat.
Kosova U19, femrat, është pjesë e Grupit A të Kampionatit Ballkanik, së bashku me Turqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.