12 qershor, 2022 – Është mbyllur Kampionati i Kosovës në volejboll në rërë për grupmoshën U20, i organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës mes datave 11/12 qershor, në fushat e pishinës “Holiday Resort”, në Prishtinë.
Në total, në konkurrencën e meshkujve, nga 18 përballje sa ishin në program, 17 prej tyre u zhvilluan në fushë, ndërsa një përfundoi me rezultat zyrtar.
Në anën tjetër, në konkurrencën e femrave, u zhvilluan të gjitha 28 ndeshjet sa ishin planifikuar të luhen.
Në përgjithësi, ishim dëshmitarë të një spektakli të vërtetë të yjeve në ngritje të volejbollit kosovar, nga të cilët pritet shumë në të ardhmen.
Te meshkujt, çifti Erion Bajrami/Eron Murseli pati punë të vështirë në finale kundër dyshes Enes Shabanin dhe Yll Salihun, por eventualisht arriti të nxjerr më të mirën nga vetja dhe të dalë triumfues ndaj dyshes kundërshtare tejet vetmohuese.
Në vendin e tretë përfundoi dyshja Ervin Llazicani/Gentrit Franca.
Te femrat, dyshja Yllka Jashari/Melirona Avdullahu triumfoi pas disa paraqitjeve brilante, duke mposhtur në finale çiftin Agnesa Koxha/Laura Zeneli, derisa vendin e tretë e zuri dyshja Megi Bislimi/Altuna Ibrahimi.
Trofetë, në të dy konkurrencat, për ekipet triumfuese i ndau presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Bahri Gjinovci.
Te meshkujt, medaljet e arta për çiftin Bajrami/Murseli i ndau drejtori i “Holiday Resort”, Sadik Gashi.
Anëtari i bordit të FVK-së, Abedin Mehani dhuroi medaljet e argjendta dhe bronzta për vendet e dyta dhe të treta.
Për dyshen triumfuese te femrat, Jashari/Avdullahu, medaljet e arta i ndau volejbollistja e mirënjohur, Vlora Berisha, ndërsa ishte sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi ai që dekoroi vendet e dyta dhe të treta me medaljet e argjendta respektvisht të bronzta.
FVK uron ekipet triumfuese për suksesin e arritur në këtë Kampionat dhe përgëzon të gjitha skuadrat për sportivitetin e treguar.