0
0
Read Time1 Minute, 11 Second
U mbajt seminari i frytshëm dhe i mirëseardhur për trajnerët kosovarë të volejbollit, nën ligjërimin dhe drejtimin e trajnerit të mirënjohur që jeton dhe vepron në Zvicër, Bujar Dervishaj.
Seminari zuri vend në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve me fillim nga ora 18:00, teksa u përcoll me një pjesmarrje masive të mbi 60 trajnerëve të interesuar.
Para fillimit të seminarit, presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci në një drekë të përbashkët falënderoi nga afër Dervishajn për kontributin dhe vullnetin për të ndarë eksperiencat e tij me trajnerët kosovarë. Në prezencën e të pranishmëve pastaj në fillim të eventit mori fjalën sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi i cili gjithashtu falënderoi Dervishajn dhe të pranishmit duke potencuar se Federata e Volejbollit të Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të fokusohet në ngritjen e nivelit të trajnerëve kosovarë, si me organizimin e seminareve të tilla, ashtu edhe me gatishmërinë për të qenë katalizator në zhvillimin e mëtutjeshëm të volejbollit kosovar.
Tema kryesore e seminarit ishte ‘pasimi, teknika dhe menaxhimi’. Fillimisht u diskutua në teori, para se të kalohej në palestër ku vazhdoi diskutimi rreth pasimit të topit dhe punës që duhet të bëhet në lojtarin pasues.
Dervishaj shfrytëzoi rastin që në këtë seminar të ndante rekuizita (fanella dhe tuta), të siguruara në bashkëpunim të ngushtë me regjionin e Aargaut nga Federata Zvicërane e Volejbollit, për gjashtë klube të reja kosovare.